Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh, ka raportuar për tri sulme ndaj policëve në komunat veriore të Kosovës.
Në raportin e Policisë për aksionin e arrestimit të Milun Milenkoviq – Llunes në veri të Mitrovicës, është njoftuar se gjatë arrestimit fillimisht kishte rezistuar i dyshuari, ndërsa si pasojë u lëndua një polic.
Po ashtu lëndime mori edhe i dyshuari. Ndërkohë pas operacionit një turmë e personave kanë sulmuar me mjete të forta veturat e policisë e si pasojë janë lënduar tre policë dhe janë dëmtuar tri vetura.
Po në Mitrovicë të Veriut rreth orës 18:40, është raportuar për një sulm tjetër ndaj zyrtarëve policorë.
Katër zyrtarë policorë u sulmuan me gurë nga persona të panjohur. Nuk është raportuar për lëndime, por është dëmtuar vetura.
E në Leposaviq, dje orës 09:15, dy vetura të Policisë, që ishin duke e përcjellë ministrin Liburn Aliu për në Komunën e Leposaviqit u sulmuan me vezë dhe me ngjyrë.