Brenda pesë ditëve Kosovën e kanë vizituar zyrtarë të lartë nga ShBA-ja, nga Gjermania dhe nga Britania e Madhe, të cilët ishin të njëzëshëm për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe e boshnjake.
Megjithatë kryeministri Haradinaj po e refuzon një kërkesë të tillë, ndonëse ka mbetur lideri i vetëm në betejën për mbajtjen e taksës, shkruan Gazeta “Zëri”.
Vetëm brenda pesë ditëve të fundit në Kosovë kanë ardhur tri top-delegacione ndërkombëtare për të kërkuar heqjen ose pezullimin e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake.
Por kryeministri Ramush Haradinaj po vazhdon të mos tërhiqet nga vendimi për taksën 100 për qind, i marrë më 21 nëntor të vitit të kaluar.
Në fundjavën që lëmë pas Kosovën e vizitoi një delegacion amerikan, i cili kërkoi pezullimin e tarifës 100 për qind të vendosur ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina.
Pos kësaj, gjatë kësaj jave në Kosovë qëndruan edhe dy delegacione të tjera, ai gjerman dhe ai britanik, të cilët patën të njëjtën kërkesë sikurse SHBA-ja. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se shefi i ekzekutivit do të vazhdojë ta mbajë të njëjtin qëndrim sikurse deri më tani.