Rreth katër muai pasi ishte aprovuar në Keshillin e Evropës në Strasburg, trupi gjykues i Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavinë refuzoi më 12 maj 2011, kërkesën e dy gjeneralëve serbë të dënuar për krime lufte që Dick Marty të ftohet të dëshmojë ndërsa raporti i tij të përfshihet si provë në rastin e tyre.
Komandanti i policisë Sreten Lukic dhe Nebojsa Pavkovic, komandanti i ushtrisë serbe, edhe pse ishin dënuar për krime lufte në Kosovë, secili me nga 22 vite burg, ata dhe mbrojtja e tyre bënë përpjekje që përmes Raportit të Martyt dhe dëshmisë së tij të kontestonin dënimin e tyre.
Mocioni i tyre është hedhur poshtë, me Vendimin për rastin me numër IT-05-87-A, në Dhomën e Apelit në Hagë, të cilin mund ta gjeni të plotë në webfaqen e Tribunalit (ICTY):
Çfarë thanë Trupi Gjykues dhe Prokuroria e Tribunalit të Hagës për refuzimin e Martyt dhe raportit të tij?
Prokuroria ka deklaruar se asgjë në raportin e Martyt nuk ngrit ndonjë dyshim specifik rreth ndonjë dëshmitari të veçantë. Prokuroria konkludon se raporti i Dick Martyt mbështetet në burime të shumëfishta të evidencave jo-gjyqësore kështu që, pavarësisht se a ftohet apo jo autori i raportit (Marty) për të dëshmuar në Dhomën e Apelit, dokumentit (raportit të Martyt) nuk mund t’i jepet kurrfarë peshe, thuhet në vendimin e Tribunalit për ish-Jugosllavinë.
Ndërkaq, pesë gjykatësit e Apelit, thuhet në dokument, vec tjerash kanë ardhur në përfundim se raporti i Martyt nuk mund të ndikojë në verdiktin për dënimin e gjeneralëve serbë, ndërsa dy rezolutat e Këshillit të Evropës të ndërlidhura me raportin e ish-senatorit zviceran nuk kanë ndonjë relevancë për rastin.
Sidoqoftë, pretendimet në këtë raport kanë qenë bazë për themelimin e Gjykatës Speciale, akuzimin dhe tani gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Akuzat e Martyt për krime lufte nuk janë të përfshira në aktakuzë. Në fjalën e tij publike në fillimin të procesit, më 4 prill, ish-presidenti Thaçi ka deklaruar:
“Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafik të organesh dhe se ‘Shtëpia e Verdhë’ nuk kanë ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja edhe populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra kjo sakrificë ia ka vlejtur. Unë pres që të shfajësohem nga çdo akuzë tjetër ndaj meje në përfundim të këtij procesi”.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë nisur procedurën për rrëzimin e rezolutës dhe raportit të Dick Martyt, që përveç UÇK-së e Kosovës, implikon edhe Shqipërinë.