Sebastian Vettel vazhdon me formën e tij. Ai shënoi fitore të madhe dhe shkëputet në krye të renditjes së përgjithshme në Formula 1. Vettel triumfoi për Çmimin e Madh të Hungarisë. Ky është suksesi i 4-t sezonal për pilotin gjerman. Edhe pse në vështirësi në gjysmën e dytë të garës, makina italiane arriti një fitore të dyfishtë të merituar në pistën e Hungaroringut, me Kimi Raikkonen që zuri vendin e dytë.
Ferrari arriti të përballojë me sukses presionin e Lewis Hamilton me Mercedes, që për 20 xhiro tentoi të bëjë mrekullinë, por në fund u kënaq me vendin e katërt, duke lëshuar podiumin xhiron e fundit. Piloti britanik (i katërti) pati shansin të duelojë për fitore, por ishte i pafuqishëm për të parakaluar makinën Ferrari , që e meritoi fitoren, në një garë të cilën e dominoi. I treti u rendit Bottas, që rimori pozicionin e tretë (e pat lëshuar në mesin e garës) dhe u ngjit në podium.
Është Max Verstappen ai që përplas dhe nxjerr jashtë piste shokun e skuadrës Daniel Ricciardo, duke detyruar australianin të braktisë garën pas vetëm pak metrash. Me rinisjen e garës, Hamilton që u nis keq herën e parë, tenton të rikuperojë ndaj Verstappen, që mbrohet mirë. Më pas, gara është e qetë dhe pa emocione, me dy pilotët Ferrari që ruajnë kreun, të shkëputur nga njëri-tjetri dhe të pashqetësuar nga rivalët. Bottas, i treti, mban pas Verstappen e Hamilton, ndërsa një incident kurioz ndodh me makinën e Grosjean, që braktis garën, pasi mekanikët nuk i montojnë mirë gomën e pasme.
Pas xhiros së 30-të nisin ndalesat e para dhe të vetme për ndërrimin e gomave dhe i vetmi që shtyn futjen në bokse është Verstappen, që për disa xhiro merr kreun e renditjes. Pas tij, janë dy makinat Ferrari e më pas dy makinat Mercedes, ndërkohë që synon një renditje të mirë në zonën e pikëve edhe Fernando Alonso me McLaren. Pas xhiros së 40-të, makinat Mercedes afrohen shumë me ato Ferrari, duke e bërë mjaft interesante garën, ndërsa Verstappen lëshon kreun pasi ndërron gomat dhe zbret i pesti.
Kështu, 25 xhiro nga fundi, katër makinat e para janë në harkun kohor të 5 sekondave, me Vettel që lë pas Raikkonen, Bottas e Hamilton. Sebastian Vettel udhëheq me 202 pikë, pasojnë Lewis Hamilton me 188 sosh, Valtteri Bottas (169), Daniel Ricciardo (117), Kimi Räikkönen (116) etj. Gara e radhës mbahet më 27 gusht në Belgjikë.