Nevenka Tromp, hulumtuese për 12 vjet e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit deklaron se patjetër duhet që ish-senatori Dick Marty të jetë dëshmitar në Gjykatën Speciale.
Ajo beson se ish senatori zviceran, nuk doli kokë në vete në publik për të treguar se është i kërcënuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë.
“Ai nuk e ka bërë këtë njoftim pa konsultim me policinë e Zvicrës”, thotë Tromp për RTK-në.
Ligjëruesja Tromp shprehet se Marty duhet të dëshmojë jo vetëm para mbrojtjes dhe prokurorisë, por edhe vetë gjyqtarëve sepse mbi bazën e raportit të tij, u krijua Gjykata Speciale. Madje, për mundësinë që ai të jetë dëshmitar, Tromp beson se është shumë e shqetësuar edhe vetë Serbia, sepse do të dekonspirohej i gjithë angazhimi i saj për krijimin e Speciales.
“Shërbimi inteligjent i Serbisë është i shqetësuar se Dick Marty mund të ketë thënë diçka apo do të thotë diçka për këtë plan të Serbisë, e cila me dekada po përpiqet ta prezantojë se UÇK-j ka qenë organizat kriminale dhe me këtë e kanë kriminalizuar edhe vetë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës”, thotë Tromp.
Megjithatë, në këtë rast, duket se edhe vetë Dick Marty është i shqetësuar.
“Në një intervistë me Martyn nga mbrojta, prokuroria apo edhe gjyqtarët e Speciales, do t’i parashtroheshin të gjitha pyetjet sepse personi i vetëm që do të jetë në gjendje t’u përgjigjet këtyre për Specialen dhe raportin e tij, është vetë Dick Marty”.
Nevenka Tromp, e cila për 12 vjet hulumtoi punën e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, deklaron se perëndimi e pranoi lojën e krijimit të Dhomave të Specializuara që Serbia ta njohë Kosovën.
Por pas kësaj, Beogradi është tërhequr nga bisedimet në Bruksel dhe i gjithë procesi është i vdekur. Ndërkohë, Serbia ka arritur diçka shumë të madhe, ka një instrument kontrolli dhe ka kapur një narrativë historike. Me këtë Gjykatë, Serbia mund të deklarohet se të gjithë ishin të fajshëm në luftën e Kosovës.