Ndalim qarkullimi prej koronavirusit ka sjellë ndryshime të ndjeshme në tregun e këmbimit monetar.
Ndryshe nga e hëna dhe e marta, këtë të mërkurë të gjitha valutat pësuan rënie.
Euro nga 131.06 lekë në ditët e para të javës, monedha e përbashkët europiane ka rënë me 2.5 lekë, duke u shkëmbyer me 128.52 lekë.
Sipas përditësimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, në rënie ishin dhe valutat e tjera.
Dollari amerikan humbi 1.49 pikë në raport me lekun duke u këmbyer me 117.26 lekë, ndërsa paundi britanik ra në 144.85 lekë duke humbur 1.40 pikë.
Eksperti i ekonomisë, Ardian Civici, thotë kjo luhatje e kursit të këmbimit ndodh pasi vendi jonë ka një treg monetar të vogël dhe mjaftojnë shumë pak veprime që efekti të ndjehet.
Sipas tij, ngërçi i krijuar për mungesën e euros solli forcimin e pozitave të saj.
Po ashtu disa faktorë të tjerë ndikues janë edhe mungesa e eksporteve, e remitancave si dhe e parasë informale.
Eksperti thekson se rritja e fortë është goditje për një periudhë deri në 10 ditë pastaj do fillojë të ketë tendencë ulje por jo më në nivelin e mëpërparshëm.
Monedha e përbashkët pritet të arrijë në nivelin e 124 deri në 127 lekë pas kalimit të pandemisë./oranews