Duke e ndjekur moton se “muzika e jashtëzakonshme ka nevojë për vende të jashtëzakonshme”, trumbetisti gjerman Otto Sauter ka shëtitur botën, duke ndërtuar karrierën e tij për tash e pesë dekada.
Jo rastësisht konsiderohet si njëri prej trumbetistëve më të njohur të kohës. Ka thyer të gjitha parashikimet e veta, është ngjitur nëpër skena të mëdha, ka luajtur me muzikantë të famshëm botërorë dhe, më e rëndësishmja, ka punuar që pasionin e tij për muzikën ta ndajë me të tjerët, përcjell Koha Ditore.
Këtë e ka bërë përmes akademisë muzikore që ka themeluar me miqtë e tij, duke krijuar një sistem krejt ndryshe edukativ që instrumentistin e ri ta inkurajojë që të krijojë karrierë të suksesshme.
Sauter ka performuar para Princit Charles, para Papës Gjon Palit II në Vatikan, e me orkestra simfonike të njohura botërore. Ani pse karrierën e nisi si trumbetisti i parë i orkestrës, shumë shpejt ai do të kuptonte se ajo nuk ishte rruga që dëshironte ta ndiqte.
Si solist më pas specializoi në piccolo-trumbetë, instrument ky i cili tani është pjesë e pandashme e tij. Sauter, krahas sukseseve të tij njihet edhe për themelimin e një prej festivaleve më të njohura të tunxhit në botë, “Bremen International Trumpet Festival”, po ashtu edhe për ansamblin “Ten of the Best”, i cili në formacion ka instrumentistët më të mirë të tunxhit në botë, dhe çdo vit fton dirigjentë e solistë botërorë, në mesin e tyre edhe fitues të çmimeve “Grammy Awards” ose edhe të tillë që kanë punuar me yje të Hollywoodit.