Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do të zvogëlojë në miliarda dollarë buxhetin për ndihma në Pakistan, duke akuzuar Islamabadin se është strehë e sigurt për ekstremistët.
Në postimin e tij të parë në Tëitter për vitin 2018, presidenti Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara në mënyrë “të pamend” i kanë dhënë Pakistanit më shumë se 33 miliardë dollarë si ndihma në 15 vitet e fundit” dhe “ata nuk na kanë dhënë asgjë përveç gënjeshtrave dhe mashtrimeve, duke konsideruar liderët tanë si budallenj”.
“Ata u sigurojnë streha të sigurta terroristëve të cilët ne i ndjekim në Afganistan. Jo më!”, ka shtuar ai.
Nuk është bërë e qartë se pse Trump ka vendosur të dërgojë këtë mesazh tek Pakistani, mirëpo në të kaluarën ai ka akuzuar Islamabadin për “mbështetje të agjentëve të kaosit” dhe ka kërkuar nga Pakistani të veprojë kundër rrjetit të talibanëve.
Pas një takimi në mes të presidentit afgan, Ashraf Ghani dhe shefit ekzekutiv, Abdullah Abdullah me nënpresidentin amerikan, Mike Pence në dhjetor të vitit të kaluar, ky i fundit kishte drejtuar deklarata të ashpra drejt Islamabadit, duke thënë se Pakistani ka mundur të fitojë shumë nga bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara dhe ka shumë se çfarë të humbas nëse strehon “kriminelë dhe terroristë”.
“Presidenti Trump është duke vëzhguar Pakistanin”, pati thënë Pence në atë kohë.