Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi se e ka anuluar takimin me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, pasi Rusia pushtoi tri anije ukrainase.
Trump njoftimin e bëri në Twitter, ndërkaq takimi me presidentin rus Putin ishte paraparë të zhvillohej në kuadër të Samitit të 20 vendeve më të industrializuara të botës, që pritet të mbahet në Argjentinë.
“Bazuar në faktin se anijet dhe marinarët nuk i janë kthyer Ukrainës nga ana e Rusisë, unë kam vendosur, dhe kjo do të ishte mirë për gjitha palët, ta anuloj takimin me presidentin Vladimir Putin, i paraparë të mbahet në Argjentinë”, thuhet në postimin e bërë në Twitter nga presidenti Trump.
Rusia ka pushtuar tri anije të Ukrainës dhe ka arrestuar ekuipazhin e saj në brigjet jashtë Krimesë, duke thënë se ato kanë kaluar ilegalisht në ujërat e saj. Paraprakisht, ajo ka hapur zjarr, duke plagosur gjashtë ukrainas, shkruan evropaelire. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha më datë 26 nëntor, se pushtimi i anijeve ukrainase paraqet “eskalim të rrezikshëm dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.