Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se negociatat tregtare me Kinën janë kthyer në rrugën e duhur. Ai e tha këtë pas takimit të shumëpritur me presidentin e Kinës, Xi Jinping, në kuadër të Samitit të G20-ës.
Mediat raportuan se presidenti amerikan është pajtuar të mos vendosë taksa shtesë ndaj mallrave kineze në luftën e vazhdueshme tregtare mes dy shteteve, për të cilën është thënë se është duke e vënë në rrezik ekonominë botërore.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Kinë, Xinhua, njoftoi se presidenti kinez dhe presidenti amerikan janë pajtuar t’i fillojnë negociatat tregtare mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë.
Trumpi tha para gazetarëve se e kishte një takim shumë të mirë me presidentin kinez, duke shtuar se ai ka shkuar më mirë sesa është pritur. Pritet që Kina ta lëshojë një deklaratë gjatë ditës së shtunë në lidhje me këtë takim.
“Ne duam t’i bëjmë disa gjëra që do të sjellin rezultate të respektueshme për tregtinë. Ishim shumë afër, por diçka ndodhi dhe gjërat na rrëshqitën nga duart”, tha presidenti amerikan lidhur me dështimin e negociatave të kaluara.
Në anën tjetër, presidenti kinez, Xi Jinping, tha para takimit me presidentin amerikan se ai dëshiron që marrëdhëniet mes dy vendeve të ndërtohen në bazë të koordinimit, bashkëpunimit dhe stabilitetit, shkruan “The Guardian”.