Fanatikët e astronomisë u zunë në befasi të premten, kur presidenti Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Hëna është pjesë e planetit Mars.
Përmes një postimi në Twitter, ku ai e komentoi politikën e administratës së tij për Hapësirën, presidenti amerikan shkroi: “Me të gjitha paratë që po i shpenzojmë, NASA nuk do të duhej të fliste për shkuarjen në Hënë. E kemi bërë këtë para pesëdhjetë vjetësh”.
Ai shtoi: “Ata do të duhej të përqendrohen në gjëra shumë më të mëdha që jemi duke i bërë, përfshirë Marsin (pjesë e të cilit është Hëna), mbrojtjen dhe shkencën”. Deklarata e tij i habiti shumë njerëz që e përcjellin astronominë, sepse Hëna tradicionalisht nuk është vlerësuar si pjesë e Marsit.
Sipas teorisë kryesore, Hëna është krijuar nga ndeshja e planetit Tokë me një trup tjetër qiellor të madhësisë së përafërt me të. Mesatarisht, Marsi qëndron 225 milionë kilometra larg Hënës. NASA nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetës “The Guardian” nëse Hëna është pjesë e Marsit.
Deklarata e presidenti amerikan ishte befasuese për shkak të entuziazmit të tij në të kaluarën lidhur me udhëtimin në Hënë. Kritika e tij ndaj NASA-s për studimin e Hënës erdhi vetëm tri javë pasi ai e kishte lavdëruar një ide të tillë.
Më 13 maj, Trump kishte shkruar në Twitter: “Do të kthehemi përsëri në Hënë”. Për më tepër, zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, kishte deklaruar në tetor të vitit të kaluar se është i vendosur t’i shohë amerikanët përsëri në Hënë në një të ardhme të afërt, shkruan “The Guardian”.