Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, do të udhëtojë për në Arabinë Saudite për çështjen e gazetarit të zhdukur, Jamal Khashoggi.
“Sapo kam biseduar me Mbretin e Arabisë Saudite, i cili mohon të ketë dijeni se çfarë ka ndodhur me shtetasin saudit”, tha Trump në një postim në Twitter.
Ai shtoi se do të dërgojë menjëherë Pompeon për të takuar mbretin Salman.
Khashoggi, i cili ka shkruar për gazetën Washington Post dhe ka qenë kritik i fuqishëm i Qeverisë saudite, është parë për herë të fundit më 2 tetor, duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll.
Zyrtarët turq besojnë se Khashoggi është vrarë në konsullatë nga agjentët sauditë, por Riadi e mohon një gjë të tillë.
Edhe Turqia, edhe Arabia Saudite janë aleate të SHBA-së.
Trump ka kërcënuar me “dënim të ashpër” nëse provat dëshmojnë se agjentët sauditë e kanë vrarë Khashoggin.
Megjithatë, presidenti amerikan e ka bërë të qartë disa herë se ai nuk do të rrezikojë marrëveshjet miliarda dollarëshe për shitjen e armëve në Arabinë Saudite.
Pas tensioneve në rritje, zyrtarët sauditë iu lejuan të hënën hetuesve turq të hyjnë në konsullatën e tyre.