Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe nënpresidenti Mike Pence u takuan të hënën mbrëma, për herë të parë qëkur mbështetësit e dhunshëm të Trumpit kanë sulmuar ndërtesën e Kongresit.
Dhuna e 6 janarit ka ndodhur derisa Pence ka qenë duke udhëhequr një seancë të Kongresit për certifikimin e fitores së Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Një zyrtar i lartë i administratës u tha mediave se Trump dhe Pence zhvilluan një “bisedë të mirë”.
Zyrtari la të kuptohet se Pence nuk e ka ndërmend t’i nënshtrohet kërkesës së demokratëve për aktivizimin e Amendamentit 25 të Kushtetutës, i cili do ta shpallte Trumpin të paaftë për kryerjen e detyrave presidenciale.
Trump dhe Pence “përsëritën se ata që thyen ligjin dhe sulmuan Kongresin javën e kaluar, nuk përfaqësojnë lëvizjen ‘Amerika e para’, të mbështetur nga 75 milionë amerikanë”, tha zyrtari.
Dyshja “u zotua se do ta vazhdojë punën në emër të vendit, për pjesën e mbetur të mandatit”, shtoi zyrtari.
Pence raportohet se ka qenë i zemëruar me Trumpin, i cili i ka nxitur mbështetësit që të marshojnë drejt Kongresit, me pretendime të pabazuara për mashtrime në zgjedhje.
Presidenti gjithashtu e ka kritikuar hapur Pence, duke thënë se ai nuk ka pasur guxim të kthejë mbrapsht rezultatin e zgjedhjeve.
Trump, i cili është bllokuar nga Twitter dhe media të tjera sociale, ka qenë kryesisht i heshtur që nga dhuna.
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë prezantuar një rezolutë për gjykimin e Trumpit, nëse Pence dhe kabineti nuk e heqin atë nga detyra ose nuk e shtyjnë të japë dorëheqje.