Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se së shpejti do të “rrisë ndjeshëm” sanksionet ekonomike ndaj Iranit. Komentet e tij në twitter pasojnë një deklaratë të Shteteve të Bashkuara drejtuar një takimi urgjent të Bordit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike që u mbajt në Vjenë.
Në deklaratë thuhej se shkelja e marrëveshjes bërthamore nga ana e Iranit është një përpjekje për zhvatje parash. Uashingtoni paralajmëroi Teheranin se po izolon vetëveten ndërsa në të njëjtën kohë ripërsëriti se është i hapur për bisedime.
“Nuk ka asnjë arsye të besueshme që Irani të zgjerojë programin e tij bërthamor dhe kjo nuk mund të shihet veçse si një përpjekje e ashpër dhe jotransparente për të zhvatur para nga bashkësia ndërkombëtare”, thuhej në një deklaratë të SHBA-së.
Në deklaratë i “bëhej thirrje Iranit që të ndryshojë hapat e ndërmarra së fundmi lidhur me programin bërthamor dhe të ndalojë çdo plan për të bërë përpara”.
Në deklaratë shprehej angazhimi i “Shteteve të Bashkuara për negociata pa kushte paraprake ndërsa i ofrohej Iranit mundësia e një normalizimi të plotë të marrëdhënieve”.
Në postimin e tij në twitter zoti Trump shkruante gjithashtu se “Irani ka kohë që në mënyrë sekrete po pasuron uraniumin në shkelje të plotë” të asaj që ai e quan”marrëveshja e tmerrshme prej 150 miliardë dollarësh e bërë nga ish-sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe administrata Obama”.
Teherani duket se ka humbur durimin me vendet evropiane në kërkim të lehtësimit të sanksioneve të vendosura nga Shteteve të Bashkuara.
“Negociatat janë të pamundura nën presion”, tha ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif gjatë një takimi në Teheran me këshilltarin diplomatik francez Emmanuel Bonne.
Pesë vendet e tjera nënshkruese të marrëveshjes që janë ende pjesë e saj, i kanë bërë thirrje Iranit t’i përmbahet kërkesave të paktit. Zarif tha se ishte në dorën e aleatëve evropianë të SHBA-së për të zgjidhur çështjet rreth tërheqjes së zoti Trump nga marrëveshja.