Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se do që t’u mohojë shtetësinë fëmijëve të lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër që nuk janë shtetas amerikanë, apo që janë imigrantë paligjshëm, bën të ditur “Zëri i Amerikës”.
Zoti Trump tha në një intervistë për emisionin Axios në kanalin HBO se ka në plan të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë fund politikës aktuale, që parashikon të drejtën e shtetësisë në lindje. “Është në proces e sipër. Do të bëhet”, tha ai.
“Ne jemi i vetmi vend në botë ku një person mund të vijë, të lindë një fëmijë dhe fëmija bëhet automatikisht qytetar amerikan … me gjithë përfitimet e këtij statusi. Është qesharake. Duhet të marrë fund”, shtoi ai.
Ndalimi i kësaj politike ka shumë gjasa që të përballet me sfida ligjore në gjykatë.
Presidenti Trump tha se e kishte diskutuar këtë ide me këshilltarin e tij ligjor, i cili siç tha ai e informoi se nuk ka nevojë për një amendament kushtetues për t’i dhënë fund të drejtës për shtetësi në lindje.
Një sfidë ligjore do të thoshte se gjykatat duhet të marrin një vendim për një debat lifhur me Amendamentin e 14-të të Kushtetutës, ku thuhet:
“Të gjithë personat që lindin ose që marrin shtetësinë në Shtetet e Bashkuara, dhe subjekt të këtij lloj juridiksioni, janë qytetarë të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku banojnë”.
Megjithatë disa konservatorë këmbëngulin se amendamenti kishte si synim vetëm t’u siguronte shtetësinë foshnjave të lindura në Shtetet e Bashkuara nga prindër që janë ligjërisht banorë të përhershëm.
Plani i Presidentit Trump për t’i dhënë fund kësaj politike, i përshkallëzon edhe më tej përpjekjet e administratës së tij për ta bërë imigracionin një çështhe madhore të fushatës para zgjedhjeve të 6 nëntorit për Kongresin.
Dy javët e fundit, zoti Trump dhe aleatët e tij konservatorë kanë bërë paralajmërime për karvanin e imigrantëve nga Amerika Qendrore që është disa qindra kilometra lag kufirit jugor të Amerikës.
Të hënën presidenti Trump e përshkroi karvanin si “një pushtim të vendit tonë”, ndërsa administrata e tij deklaroi planet për të dërguar të paktën 5 mijë e 200 trupa në kufi deri në fund të kësaj jave.