Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e përfundoi terapinë për koronavirus dhe mund të kthehet në angazhimet publike më 10 tetor, tha mjeku i Shtëpisë së Bardhë.
“Të shtunën bëhen dhjetë ditë nga diagnostikimi dhe bazuar në trajektoren e simptomave, unë parashikoj kthimin e sigurt të presidentit në angazhimet publike në atë kohë”, tha doktor Sean Conley.
Ai tha se Trump i është përgjigjur “jashtëzakonisht mirë” trajtimit, pa pasur ndonjë provë të efekteve anësore dhe pa shenja që sugjerojnë “përparimin e sëmundjes”.
Trump ka njoftuar më 1 tetor se është diagnostikuar me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19, dhe ka kaluar tri ditë në spital përpara se të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, më 5 tetor.
Pas njoftimit të Conleyt, Trump tha se mund të përpiqet të marrë pjesë në një tubim zgjedhor më 10 tetor.
Duke folur për Fox News, Trump tha se tubimi mund të jetë në Florida.
Doktor Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në SHBA, tha se dy teste negative PCR – me 24 orë diferencë kohore – janë faktori kryesor për të përcaktuar nëse dikush është ende infektues ose jo.
Disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë sekretaren për media dhe një këshilltar të presidentit, janë infektuar me koronavirus.
Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me mbi 7.6 milionë njerëz të infektuar dhe mbi 212,000 viktima.
SHBA-ja është po ashtu në prag të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen më 3 nëntor.