Donald Trump pranoi zyrtarisht nominimin republikan, duke u bërë kështu kandidat presidencial për zgjedhjet e 3 nëntorit, dhe në një fjalim para Shtëpisë së Bardhë, ai sulmoi ashpër kundërshtarin nga radhët e demokratëve, Joe Biden.
Presidenti i SHBA-ve pranoi emërimin e partisë në mbrëmjen e fundit të Konventës Kombëtare Republikane dhe gjatë fjalimit theksoi “se fitorja e Bidenit vetëm do të përkeqësonte krizat që kanë kapur vendin dhe do të çonte në anarki të plotë”.
Trump paralajmëroi se me fitoren e demokratit, siç tha ai, do të “prishet” ëndrra amerikane, transmeton Telegrafi.
Presidenti aktual i SHBA-ve e përshkroi Bidenin si “personi që shkatërron madhështinë amerikane”.
“Ne kemi kaluar katër vitet e fundit duke zhbërë dëmin që Bideni ka bërë gjatë 47 viteve të fundit”, tha Trump, duke aluduar në karrierën e Bidenit si senator dhe nënkryetar.