Presidenti Donald Trump bëri thirrje të dielën për kthimin e menjëhershëm “pa gjykatës, pa gjykatë” të emigrantëve të paligjshëm që po futen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një numër postimesh në Twitter, presidenti thotë aw “nuk mund t’i lejojmë këta njerëz të pushtojnë vendin tonë” duke shtuar “Sistemi ynë është tallje në krahasim me politikat e shëndosha të imigracionit dhe me shtetin ligjor”.
“Në të gjithë botën njerëzit tallen me ligjin tonë për imigracionin dhe është e padrejtë për njerëzit që vijnë këtu në mënyrë të ligjshme dhe që presin në radhë për vite të tëra”, shton ai.
Prej vitesh Shtetet e Bashkuara u kanë dhënë mundësi ta paraqesin çështjen e tyre në gjykatë imigrantëve që largohen nga Meksika dhe Amerika Qendrore si dhe vende të tjera në botë në kërkim të një jete më të mirë.
Përpjekjet e presidentit për të eliminuar procesin në gjykatë mund të ndeshin në rezistencë të fortë nga Kongresi ku prej vitesh sundon ngërçi në përpjekjet për të dalë me një politikë unike për imigracionin.
Presidenti shkruan se “imigracioni duhet bazuar në meritë dhe këtu duhet të vijnë njerëz që e bëjnë Amerikën përsëri të madhërishme”.
Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët pritet të votojë përsëri javën e ardhshme mbi një reformë të përgjithshme në politikat e imigracionit.