Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Kina po e minon punën e saj me Korenë e Veriut, për denuklearizimin e vendit komunist.
Pekini është aleati i vetëm i rëndësishëm i Phenjanit dhe rivali strategjik më i fuqishëm i Uashingtonit në rajon.
Në një seri postimesh në Twitter, Trump po ashtu tha se SHBA nuk duhet të shpenzojë në lojëra të luftës me Korenë e Jugut, por “nëse ato rinisin, atëherë do të jenë më të mëdha se kurrë”.
SHBA i ka pezulluar stërvitjet e tilla ushtarake, të cilat vazhdimisht e zemërojnë Phenjanin, pas takimit historik të Trumpit me liderin verikorean, Kim Jong Un, në muajin qershor.
Por, ditë më parë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se ushtrimet ushtarake mund të vazhdojnë.
Debati për lojërat e luftës vjen në kohën kur shumë vëzhgues thonë se Koreja e Veriut nuk po bën mjaftueshëm për të çmontuar lokacionet bërthamore dhe raketore.
Që nga viti 2016, Koreja e Veriut ka kryer tre teste bërthanore dhe ka hedhur 40 raketa balistike.
Trump dhe Kim janë pajtuar që të punojnë për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean, por marrëveshja e tyre, e arritur gjatë takimit në Singapor, është kritikuar për mungesë detajesh.