Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që premton “t’i mbajë familjet bashkë” në qendrat e mbajtjes të imigrantëve.
Ai e ndryshoi politikën e tij pas reagimeve të ashpra ndërkombëtare për ndarjen e prindërve dhe të fëmijëve.
Trump tha se ishte lëkundur nga imazhet e fëmijëve që po ua merrnin prindërve të tyre, përderisa këta të fundit burgoseshin dhe ndiqeshin penalisht për kalim ilegal të kufirit.
Megjithatë, ky urdhër nuk i adreson familjet tashmë të ndara nga kjo politikë.
Zyrtarët e Imigracionit në SHBA thonë që dy mijë e 342 fëmijë janë ndarë nga dy mijë e 206 prindër mes muajve maj dhe qershor.
“Është për t’i mbajtur familjet bashkë”, ka thënë Trump në ceremoninë e nënshkrimit dje.
“Nuk më pëlqeu pamja e familjeve që po ndaheshin”, vijoi ai, por duke insistuar se do ta vazhdojë “politikën me zero tolerancë” në ndjekjen penale të kujtdo që e kalon kufirin ilegalisht.