Trump, Kalifati dhe Kosova

Prishtinë | 17 Qer 2025 | 12:09 | Nga Vlera Gjakova

Në vitin 1258, kur Mongolët rrafshuan Bagdadin dhe shuan Kalifatin Abbasid pas 500 vitesh dritë e dije, ata nuk i dogjën vetëm librat e bibliotekës së famshme të Al-Mustansiriyas. Ata e shuan vetë idenë e një bote ku dijet rridhnin më shpejt se gjaku. U tha se uji i Tigrit u kthye i zi nga boja e miliona dorëshkrimeve që përmbytën brigjet. Kalifati Abbasid – një ndër format më të avancuara të organizimit intelektual, shpirtëror dhe diplomatik të botës islame, përfaqësonte një arkitekturë simbolike të dijes dhe fuqisë, ku fjala kishte peshën e shpatës.

Po ç’lidhje ka kjo me Kosovën?

Ka, sepse ashtu si Bagdadi i fundit, edhe Kosova po dështon të ruajë arkitekturën e kujtesës dhe fuqisë së vet. Po shkatërrohet jo nga armiku, por nga paaftësia për të komunikuar në gjuhën e epokës së re. Jo se s’kemi të drejtë, por sepse nuk kemi më fjalor.

Donald Trump, si një Batu Han i shekullit XXI, nuk vjen të djegë arkiva, por të rindërtojë realitetin përmes narrativave të shpejta, të frikshme, të thella si propagandë, por të maskuara si “paqe”. Kur ai shpall se e ndali luftën Kosovë-Serbi, ai nuk po flet si historian, por si autor i një realiteti paralel që mbijeton sepse askush nga ne nuk po e sfidon me një narrativë më të fuqishme.

Në vitin 1971, Henry Kissinger tha: “Diplomacy is the art of restraining power.” Por çfarë ndodh kur fuqia nuk ka më nevojë të përmbahet, por vetëm të transmetohet në formën e një videoje, një postimi apo një marketingu strategjik?

Kjo është metadiplomacia e vërtetë: jo më marrëveshje, por ndërtim i realiteteve përmes ndërhyrjes në perceptim. Dhe në këtë fushë, Trump është një mjeshtër. Kurse Kosova siç ishte Bizanti para rënies në 1453 – ende flet për traktate ndërkohë që porta është shembur dhe ikonat digjen.

Dhe pyetja është: nëse jemi të heshtur përballë një kohe që flet vetëm me zë të lartë, a kemi më të drejtë të ankohemi për mosdëgjim?

Një president nuk duhet doemos të ketë zyrë. As dosje. As Protokoll Shteti. Mjafton një fjali e vetme, e hedhur në një rrjet social, dhe historia e një kombi të vogël mund të devijojë nga rrjedha e vet. Këtë e demonstroi së fundmi Donald Trump, i cili në një mesazh të shkruar në stilin e tij karakteristik, shpallte se gjatë mandatit të tij “kishte ndalur luftën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Me thjeshtësi dramatike, ai riformatoi kontekstin gjeopolitik të Ballkanit, duke e vendosur veten si aktorin kryesor në një skenë ku BE-ja vuan nga anemia strategjike dhe Kosova nga amnezia diplomatike.

Kjo nuk është thjesht një deklaratë. Kjo është metadiplomaci: një term që nëse nuk është shpikur nga unë sot, së paku po përdoret për herë të parë në këtë mënyrë për të përshkruar epokën e spektaklit politik. Metadiplomacia nuk luhet brenda institucioneve, por në nivelin e narrativave publike, ku realiteti formohet jo nga fakti, por nga akt performativ. Trump nuk është thjesht politikan. Ai është simptomë e epokës, ku politikat nuk miratohen, por inskenohen.

Dhe Kosova? Kosova po shfaqet si figurantja e vetes. E përfolur, por jo përfolëse. E cituar, por jo në gjuhën e vet. Nëse Trump po përdor të ashtuquajturën “diplomaci transaksionale” ku paqja blihet, shitet apo vendoset si kartë tregtare, Kosova ende operon në doktrinën e viktimizmit moral: një politikë që i drejtohet ndjenjës së fajit të Perëndimit, por jo mekanizmave të vendimmarrjes së tij.

Në këtë realitet, qëndrimi që dërguam sot përballë diplomacisë amerikane tingëllon si një dokument i nxjerrë nga sirtari i një kabineti në qeverinë e vitit 2009. Korrekt, i matur, i ndërtuar mbi protokoll, por qartazi jashtë kohe. E vërtetë, Kosova ka një histori të mbushur me dhimbje, viktima dhe gjak. Por historia e re e paqes është histori e performancës së fuqisë. Dhe fuqia në shekullin XXI matet jo me sasinë e vuajtjeve, por me kapacitetin narrativ.

Në këtë epokë të fragmentuar, ku realiteti nuk është më objektiv, por i montuar, duhet të rikujtojmë fjalët e Hannah Arendt: “E vërteta politike nuk është ajo që ndodh, por ajo që besohet të ketë ndodhur.” Pikërisht këtë po e shfrytëzon Trump. Ai nuk po raporton histori. Ai po e konstruon atë, në mënyrë brutale dhe të efektshme. Ai po na mëson se fuqia nuk është më atribut i forcës, por i imagjinatës politike.

Qëndrimi ynë institucional përmend emra, data, letra. Flet për krime dhe moszbatim marrëveshjesh. Por a është kjo gjuha që mund të konvertohet në ndikim? Në një epokë ku realiteti politik vendoset nga percepsioni, jo nga fakti, Kosova duhet të gjejë gjuhën e re të fuqisë së vet. Dhe kjo nuk është gjuhë juridike, as ajo e ndershmërës etike. Është gjuhë simbolike, e shpejtë, brutale, performuese. Çfarë na mungon nuk është e vërteta, por arkitektura e tregimit.

Ndërkohë Trump vazhdon të flasë si regjisor global. Ai e modelon realitetin si të ishte skenar në Hollywood. Flet për Indinë dhe Pakistanin si “të arritur” në sajë të tregtisë me Amerikën, si të ishte në simulim marrëveshjeje ndërmjet dy shoqatave tregtare dhe jo dy shteteve me arsenale bërthamore. Ai e sheh dialogun Kosovë-Serbi jo si proces përmbajtësor, por si një produkt që mund të ripaketizohet dhe të rishitet nëse i prishet marketingu.

Ky cinizëm i ndritshëm, që do ta kishte përshëndetur edhe Arendt, është gjuha e kohës. Dhe Kosova nuk ka luksin të flasë ende si në vitin 2008. Ajo duhet të shpikë një doktrinë të re të diplomacisë: jo të ankohesh, por të imponosh; jo të presësh në tavolinë, por të jesh vetë arkitekti i skenografisë diplomatike.

Në këtë pikë, është e domosdoshme të kujtojmë edhe Ibn Khaldun-in, mendimtarin e madh të shekullit XIV, i cili në “Muqaddimah” përshkruante se fuqia kolektive e një kombi – asabiyah – venitet jo nga betejat e jashtme, por nga konsumimi i brendshëm i mendësisë, nga humbja e unit të narrativës dhe nga kalbja e strukturave që e mbanin bashkë një qytetërim. Për Kosovën, rreziku më i madh nuk është Serbia por zbrazësia e rrëfimit të vet politik.

Në fund të fundit, çfarë është Kosova në këtë pikë të historisë botërore?

Një rrënojë e dekoruar me flamuj ndërkombëtarë dhe selfie diplomatike. Një republikë sentimentale, që në vend të strategjisë ushqen kronikën. Një shtet i vogël që sheh lajmet për veten në gjuhë të huaja, sepse vetë nuk arrin të artikulojë më as frikën. Ne nuk kemi më as frikë strategjike, vetëm pasiguri ekzistenciale. Dhe kjo është shumë më e rrezikshme.

Ndërsa Trump shpall veten ndalues lufte, Kosova as që guxon ta pyesë veten: nëse paqja është produkt mediatik, a jemi ne thjesht konsumatorë të një propagande që na skicon si figurantë në një film që nuk e kemi shkruar?

Trump nuk e ndali luftën. Ai ndali nevojën për të pasur të vërtetën. Dhe kjo është shumë më e thellë se çdo dokument i nënshkruar në Washington. Sepse nëse një fjali mjafton për ta përmbyllur një konflikt, atëherë çfarë ishin të gjitha vuajtjet tona? Prova juridike? Apo skenografi e një tragjedie të mallkuar ballkanike që shitet si lodër e lirë në tregun diplomatik global?

Kosova nuk po e humb betejën për shkak të armiqve të jashtëm. Po e humb sepse nuk po arrin më të përkufizojë vetveten. Nuk po humb për mungesë miqsh, por për mungesë fjale. Po humb sepse mendon ende se identiteti është dhuratë dhe jo përballje. Dhe çdo ditë e më shumë, po i ngjan një vendi që ekziston vetëm për t’u kujtuar nga të tjerët, jo për të folur për veten.

Në filmin La Bataille d’Alger të Gillo Pontecorvo-s, një kryevepër që u ndalua për vite në Francë, një nga skenat më tronditëse është ajo ku kolonel Mathieu, përfaqësuesi i pushtetit kolonial, i drejtohet gazetarëve me ftohtësinë e një kirurgji moral: “A doni

Algjerinë franceze? Atëherë pranoni pasojat. A nuk i doni pasojat? Atëherë hiqni dorë nga Algjeria.” Ishte një mënyrë për të thënë: nuk mund të kërkosh sovranitet pa patur arkitekturën e dhunës, fuqisë dhe narrativës.

Kosova nuk ka më luksin të flasë si koloni që kërkon të mbahet mend për plagët. Ajo duhet të flasë si një aktor që zotëron edhe tensionin, edhe narrativën, edhe skenarin.

Sepse, nëse një deklaratë nga një burrë i moshuar me flokë portokalli dhe një të kaluar reality-show mund të zhvendosë boshtin e kujtesës sonë kolektive, atëherë çfarë kemi ndërtuar ne përveç një republike të letrave?

Dhe në fund të fundit, në një epokë ku fjalitë janë më të rëndësishme se faktet, e perceptimi më i fuqishëm se e vërteta, ndoshta pyetja më e thellë që mund të bëjmë është kjo:

A ka kuptim të flasim për shtetësi, kur vetë rrëfimi ynë shtetëror nuk është më në pronësinë tonë?

Të ngjashme