Trump kërcënon Turqinë me “shkatërrim” ekonomik nëse sulmon kurdët në Siri

Prishtinë | 14 Jan 2019 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se do ta shkatërrojë Turqinë në aspektin ekonomik nëse sulmon milicinë kurde në Siri, duke ulur vlerën e lirës turke, çka ka nxitur reagim të ashpër nga Ankaraja të hënën, transmeton Reuters.

Marrëdhëniet në mes të dy aleatëve të NATO-s janë tensionuar për shkak të mbështetjes që u kanë dhënë Shtetet e Bashkuara, Njësiteve kurde për Mbrojtjen e Popullit (YPG).

Turqia i konsideron këto Njësite të lidhura me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila është duke kryer kryengritje për dekada në tokën turke.

Një krizë diplomatike e vitit të kaluar, kur Trump pati rritur tarifat në eksportet turke të metalit, pati ndikuar që lira turke të shënojë ulje rekorde të vlerës së saj në muajin gusht.

Trump ka thënë të dielën se Shtetet e Bashkuara kanë filluar tërheqjen e trupave nga Siria, pasi e ka bërë të ditur këtë vendim në muajin dhjetor, mirëpo megjithatë ka thënë se do të vazhdojë të luftojë grupin militant, Shteti Islamik (IS) në këtë vend.

“Do të sulmojmë sërish nga zonat e afërta nëse do të ketë reformim. Do të shkatërrojmë Turqinë në aspektin ekonomik nëse ata qëllojnë kurdët. Do të krijojmë një zonë të sigurt prej 20 miljesh. Mirëpo unë nuk dua që as kurdët të provokojnë Turqinë”, ka thënë Trump në një postim në Twitter.

Zëdhënësi i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, Ibrahim Kalin ka thënë se Trump duhet të respektojë aleancën e Uashingtonit me Ankaranë.

“Zoti Donald Trump është një gabim fatal nëse barazoni kurdët sirianë me PKK-në, e cila gjendet në listën amerikane të terroristëve dhe degë e YPG-së në Siri”, ka thënë zëdhënësi Kalin në Twitter.

“Terroristët nuk mund të jenë partnerë dhe aleatë. Turqia pret që SHBA-ja të nderojë bashkëpunimin tonë strategjik dhe nuk dëshiron të jetë në hije të propagandës terroriste”, ka thënë ai të hënën.

Njësitet për Mbrojtjen e Popullit (YPG), kanë qenë aleate të SHBA-së në luftimin e xhihadistëve dhe tani kontrollojnë veriun e Sirisë.

 Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se do të shpërbëjë këtë grup, pas vendimit të Trumpit për të larguar trupat nga ky rajon.

 Drejtori për Komunikime i Erdoganit, Fahrettin Altun ka thënë se “Turqia do të vazhdojë me vendosshmëri luftimet kundër terrorizmit” dhe se është mbrojtëse e kurdëve, jo armike.

 “Terrori është terror dhe duhet të zhduket nga themeli. Kjo është pikërisht ajo që është duke bërë Turqia në Siri”, ka thënë ai në Twitter.

 Turqia ka larguar luftëtarët e YPG-së nga rajoni Afrin i Sirisë dhe zonat tjera në Lumin Eufrat, në kuadër të disa fushatave ushtarake në dy vjetët e fundit.

 Po ky shtet tani ka kërcënuar me tejkalim të anës lindore të lumit, gjë të cilën e ka mënjanuar deri më tani, pjesërisht për të anashkaluar përballjen me forcat amerikane.

 Një zyrtar i Forcave Demokratike Siriane, që mbështetet nga SHBA-ja ka thënë të dielën se militantët e grupit ekstremist Shteti Islamik “janë duke jetuar momentet e fundit” në enklavën e fundit që zotërojnë afër kufirit me Irakun.

Të ngjashme