Presidenti i SHBA-së në largim, Donald Trump vuri në dukje sonte punën e administratës së tij për zhvillimin e shpejtë të vaksinës së coronavirusit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë.
Në një mesazh pesë-minutësh të Vitit të Ri që e publikoi në llogarinë personale të Twitterit, Trump foli gjithashtu për “këmbënguljen, forcën dhe qëndrueshmërinë” e Shteteve të Bashkuara, përballur me sfida.
Ai e quajti vaksinën kundër coronavirusit, i cili bëhet në të gjithë Shtetet e Bashkuara, “një mrekulli e pashembullt mjekësore” dhe shtoi se do të jetë në dispozicion për çdo amerikan në fillim të 2021. “Ne duhet të kujtohemi për atë që është bërë”, tha Trump.
Trump, mandati i të cilit skadon më 20 janar, shkurtoi qëndrimin e tij në vendpushimin Mar-a-Lago në Florida, duke u kthyer në Shtëpinë e Bardhë një ditë para se të ishte planifikuar.
Shtëpia e Bardhë nuk e deklaroi arsyen e kthimit të tij të hershëm, që do të thotë se do të humbasë natën tradicionale të Vitit të Ri në klubin e tij në Palm Beach.