Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se largimi i trupave amerikane nga Afganistani do të fillojë menjëherë. Kjo deklaratë erdhi pas nënshkrimit të marrëveshjes historike me talibanët, që pritet t’i japë fund njërës prej luftërave më të përgjakshme, e cila filloi para 18 vjetëve.
“Sot. Ata do të fillojnë të largohen menjëherë”, tha presidenti amerikan para gazetarëve që ishin mbledhur në Shtëpinë e Bardhë të shtunën, kur u pyet se kur do të fillojë largimi i trupave amerikane nga Afganistani.
“Askush nuk do të duhej ta kritikonte këtë marrëveshje, pas 19 vjetëve”, tha ai, duke shtuar se do të takohet personalisht me udhëheqësit e talibanëve në një të ardhme jo shumë të largët, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Këto komente erdhën vetëm disa orë pas nënshkrimit të marrëveshjes nga udhëheqësi i krahut politik të talibanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, dhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, Zalmay Khalilzad. Ceremonia e nënshkrimit të paktit u zhvillua në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Sipas kësaj marrëveshjeje, trupat e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve aleate të NATO-s do të tërhiqen nga Afganistani brenda 14 muajve, nëse talibanët i respektojnë zotimet e dhëna, përfshirë moslejimin e veprimtarisë së grupeve terroriste.
Tash për tash, Shtetet e Bashkuara i kanë rreth 13 mijë ushtarë në Afganistan dhe kanë planifikuar që këtë numër ta zvogëlojnë menjëherë në 8600.