Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se beson që deri në 100 000 amerikanë mund të vdesin nga pandemia e Coronavirusit, por shtoi se ka besim që vaksina kundër sëmundjes së re mund të zbulohet në fund të këtij viti.
“Do t’i humbim nga 75 800 deri në 100 mijë njerëz. Kjo është një gjë e tmerrshme”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili më parë gjatë kësaj jave kishte thënë se numri i viktimave mund të jetë mes 60 000 dhe 70 000 personave.
Rreth gjysma e Shteteve të ShBA-së kanë filluar t’i lehtësojnë masat e izolimit pasi numri i rasteve të reja me Covid-19 ka nisur të zvogëlohet. “Ne nuk mund të qëndrojmë të mbyllur si shtet ose do të mbesim pa shtet”, tha Trumpi.
Megjithatë, ai u shpreh optimist se vaksina kundër Coronavirusit mund të zbulohet deri në fund të këtij viti.
“Unë mendoj se do ta kemi vaksinën në fund të vitit. Mjekët do të thonin se unë s’duhet ta them këtë. Unë do ta them atë që e mendoj. Unë mendoj se do ta kemi vaksinën herët apo vonë”, tha presidenti amerikan.
Ai shtoi se dëshiron që nxënësit dhe studentët të kthehen në shkolla dhe universitete këtë vjeshtë, ndonëse u shpreh i vetëdijshëm për mundësinë e rishfaqjes së sëmundjes, shkruan “Reuters”.