Presidenti Donald Trump po sugjeron se sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis mund të jetë një nga zyrtarët e tij të ardhshëm kyç që mund të largohet nga qeveria.
Republikani Trump, në një intervistë të transmetuar të dielën në emisionin “60 Minutes” të kanalit CBS, tha se Mattis nuk ka asnjë shenjë se po largohet, por shtoi: “Mund të ndodhë që ai të largohet. Mendoj se ai është si një demokrat, nëse doni të dini opinionin tim të vërtetë. ”
Udhëheqësi amerikan e përshkroi gjeneralin në pension si “një njeri të mirë, ne shkojmë shumë mirë, por mund të largohet, pasi në një moment, të gjithë largohen”.
Trump, gjatë administratës së tij 21-mujore, ka shkarkuar ose detyruar të largohen dhjetra zyrtarë të rëndësishëm, ose ka parë të tjerët që i pëlqente, të japin dorëheqjen, përfshirë ambasadoren në Kombet e Bashkuara Nikki Haley, e cila javën e kaluar tha se do të linte postin e saj në fund të vitit.
Mattis, duke udhëhequr ushtrinë amerikane, herë pas here ka qenë në kundërshtim me presidentin Trump dhe shumë zyrtarë të administratës së tij, duke përfshirë këshilltarin e sigurisë kombëtare John Bolton.
Mattis, në mes të vitit 2017, bëri thirrje për më shumë opsione diplomatike me Korenë e Veriut në lidhje me programin e armëve bërthamore të Phenianit, një qëndrim që presidenti Trump përfundimisht e përkrahu, gjë që çoi në samitin e qershorit me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.