Sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Steven Mnuchin, siguroi tregjet financiarë se kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell nuk do të largohet nga detyra, pas raportimeve se Donald Trump ka diskutuar disa herë për të pushuar nga detyra kryetarin e bankës qendrore.
Mnuchin në disa komente në Twitter, bëri të ditur se ka folur me presidentin për çështjen dhe shtoi se Trump nuk ka autoritetin për të hequr nga detyra shefin e sistemit bankar qendror.
Megjithatë, pritet të shihet nëse tregjet do të binden nga kjo deklaratë. Shumë politikanë dhe analistë tregu i bënë thirrje Donald Trump gjatë fundjavës që të mos veprojë kundër Jerome Powell.
Komentet e Mnuchin vijnë pas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë, që bëri të ditur se nuk është në dijeni të ndonjë plani për të hequr Powell.
“Kam folur me Trump dhe ai tha se nuk është dakord me politikat e Fed. Rritja e fundit e normave të interesit në këtë kohë ishte gjë e tmerrshme sipas tij. Por Trump tha se ai nuk ka sugjeruar kurrë se do të pushojë Jerome Powell dhe nuk mendon se ka autoritetin për ta bërë”, shkroi Mnuchin në Twitter.
Shtëpia e Bardhë kishte qenë e heshtur në 18 orët që kur Bloomberg raportoi për heqjen e Powell.