Presidenti amerikan Donald Trump tha të enjten se ai ka të ngjarë të bëjë të ditur planin e tij të shumëpritur të paqes për Lindjen e Mesme para se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të vizitojë Uashington, javën e ardhshme.
Siç shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi, duke folur para gazetarëve në Air Force One gjatë rrugës për në Miami për një ngjarje politike, Trump tha se palestinezët mund të reagojnë negativisht në planin e tij në fillim, por se do të përfitonin nga ai.
“Është një plan i shkëlqyeshëm”, tha Trump, i cili të martën do të takohet me Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë. “Është një plan që me të vërtetë do të funksiononte”.
Sipas mediave, Trump pritet gjithashtu të takojë rivalin zgjedhor të Netanyahu, Benny Gantz.
Në këtë kontekst, presidenti amerikan ka thënë se administrata e tij ka biseduar shkurtimisht me palestinezët, të cilët kanë hedhur poshtë planin e paqes së administratës përpara se ai të dalë.
“Ne kemi folur shkurtimisht. Por do të flasim përsëri”, tha Trump.
Ndërkohë, Nabil Abu Rudeineh, një zëdhënës i presidentit palestinez Mahmoud Abbas, tha më parë të enjten se palestinezët “paralajmërojnë Izraelin dhe administratën amerikane të mos kalojnë asnjë vijë të kuqe”.
Megjithatë, sipas Al Jazeera, publikimi i planit të Trumpit për t’i dhënë fund konfliktit midis Izraelit dhe palestinezëve është vonuar shumë herë që kur u përfol për herë të parë më shumë se dy vjet më parë.