Shtetet e Bashkuara i dhanë Meksikës një afat prej 10 ditësh që të ndalojë valën e emigrantëve ose do të përballet me tarifa në të gjitha prodhimet e saj.
Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi të martën në mbrëmje në rrjetin twitter se “me 10 qershor, Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa prej 5 për qind ndaj të gjitha mallrave që vijnë nga Meksika në vendin tonë, derisa nuk ndalohen emigrantët që vijnë prej andej në vendin tonë”. Ai, siç raporton Zëri i Amerikës, shkroi që derisa kjo nuk ndodhë tarifat do të rriten çdo muaj duke arritur ne 25 për qind deri me 1 tetor.
Ai shkroi se bashkëpunimi pasiv i Meksikës në lejimin e kësaj vale masive paraqet një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara. “Meksika ka ligje shumë të forta për imigracionin dhe mund të ndalë lehtësisht rrjedhën e paligjshme të emigrantëve, përfshirë edhe kthimin e tyre në vendet e tyre të origjinës”, tha presidenti Trump.
Zëvendësministri i Jashtëm meksikan, Jesus Seade, tha se tarifat e tilla do të ishin katastrofike.
“Nëse ky kërcënim realizohet, do të ishte jashtëzakonisht serioz,” u tha ai gazetarëve. “Nëse kjo ndodhë, ne duhet të reagojmë fuqishëm”, tha ai.
Ushtruesi i detyrës së shefit të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, Mick Mulvaney, tha se disa republikanë në Kongres, por jo edhe demokratët, janë konsultuar rreth planit.
Presidenti Trump ka akuzuar qeverinë e Meksikës se nuk ka bërë sa duhet për të penguar rrjedhën e emigrantëve drejt kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara në kërkim të strehimit, Shumica e tyre janë nga vendet e Amerikës Qendrore si El Salvadori, Hondurasi dhe Guatemala.