Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka quajtur procedurën për shkarkimin e tij, të nisur nga demokratët, si “mashtrimin më të madh” në historinë e politikës amerikane.
Video-mesazhi i publikuar nga Trump në rrjetet sociale, vjen si kundërpërgjigje pas nisjes së hetimeve ndaj tij lidhur me dyshimet se ai, përmes bllokimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, i ka bërë presion Kievit zyrtar, që të hetojë kundërshtarin e tij politik, ish-nënpresidentin amerikan, Joe Biden.
Trump tha se demokratët – të cilët javën e kaluar nisën procedurat për shkarkimin e presidentit – duan “të marrin gjithçka”.
Ai tha se demokratët “duan të marrin armët tuaja, lirinë tuaj… dhe unë kurrë nuk do të lejoj që një gjë e tillë të ndodhë”.
Në thelb të këtij skandali është publikimi i një raporti të një informatori, i cili ka treguar detaje për telefonatën e 25 korrikut ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.
Gjatë kësaj bisede, Trump i ka kërkuar ndihmë Zelenskiyt për të hetuar Bidenin – i cili është kandidat demokrat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 – dhe djalin e tij Hunter, i cili ka qenë anëtar i bordit të një kompanie të energjisë në Ukrainë.
Trump, kishte bllokuar ndihma ushtarake për Kievin në vlerë prej 400 milionë dollarësh, para se kjo bisedë telefonike të ndodhte.
Shtëpia e Bardhë, më 25 shtator, publikoi një transkript prej pesë faqesh të bisedës telefonike Trump-Zelenskiy.
Sipas një memoje, Trump i ka thënë Zelenskiyt se avokati i tij personal, Rudy Giuliani dhe Prokurori i Përgjithshëm, William Barr do të ndiqnin hetimin në Ukrainë dhe ata do të ishin kontakti kryesor për këtë çështje.