Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të enjten se Shtetet e Bashkuara janë duke bërë punë të mirë në bisedimet për tregti me Kinën dhe se Pekini kërkon që të arrijë marrëveshje me Uashingtonin.
“Kina do të dëshironte shumë që të arrinte marrëveshje me ne. Ne kemi pasur një marrëveshje dhe ata e kanë shkelur atë. Mendoj që nëse do t’iu duhej ta bënin sërish atë që kanë bërë, ata nuk do të vepronin njëjtë”, ka thënë Trump teksa është larguar nga Shtëpia e Bardhë, për të mbajtur një fjalim në Akademinë e forcave Ajrore ushtarake në Kolorado.
Trump ka thënë se tarifat amerikane në mallrat kineze kanë rezultuar me ikjen e prodhuesve kinezë nga SHBA-ja, duke u bartur në vendet tjera.
“Kina është duke ndarë fonde për këto produkte, andaj taksapaguesit e SHBA-së janë duke paguar shumë pak për to”, ka thënë Trump, duke konsideruar se tarifat kanë shumë pak ndikim në inflacion.
Tensionet tregtare në mes të Uashingonit dhe Pekinit janë përshkallëzuar më herët gjatë këtij muaji, pasi administrata e Trumpit ka akuzuar Kinën për shkelje të marrëveshjeve paraprake, sa u përket praktikave ekonomike.
Uashingtoni më vonë ka vendosur tarifa shtesë në mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve, duke shtyrë Pekinin që të hakmerret.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, ka thënë se ka mundësi që në një të ardhme të afërt të udhëtojë drejt Pekinit për të vazhduar negociatat.