Trump synon t’i heqë Harvardit miliona dollarë fonde, nis anulimin e kontratave

Prishtinë | 27 Maj 2025 | 18:45 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarë të administratës Trump, kanë thënë për CNN se qeveria federale është gati të udhëzojë agjencitë e saj që të nisin procedurat për anulimin e kontratave me Universitetin e Harvardit, të cilat kapin një vlerë prej rreth 100 milionë dollarësh.

CNN shkruan se kjo është goditja më e fundit ndaj institucionit arsimor që ka refuzuar t’i bindet kërkesave të shumta të Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të një sulmi më të gjerë politik ndaj kolegjeve amerikane.

Sipas zyrtarëve, letra më e fundit drejtuar Harvardit do të dërgohet të martën, dhe do t’u kërkojë gjithashtu agjencive qeveritare të shqyrtojnë mundësinë e gjetjes së kontraktorëve të rinj për fondet federale.

Për këto ndërprerje të planifikuara ka raportuar fillimisht New York Times, ndërsa masa vjen pas 2.65 miliardë dollarëve që i janë shkurtuar së fundmi Harvardit nga fondet federale.

Kujtojmë se Harvardi ka refuzuar të plotësojë një sërë kërkesash qeveritare, përfshirë dorëzimin e dosjeve të plota të studentëve të huaj dhe lejimin e auditimeve për të konfirmuar nëse ka zgjeruar “diversitetin e pikëpamjeve” në kampus.

Muajin e kaluar, presidenti i Universitetit, Alan Garber, tha se: “Universiteti nuk do të dorëzojë pavarësinë e tij dhe as të heqë dorë nga të drejtat kushtetuese.”

Poashtu dihet se universiteti më i vjetër dhe më i pasur në SHBA ka paditur administratën Trump muajin e kaluar për ngrirjen e 2.2 miliardë dollarëve në grante dhe kontrata federale. Ndërkohë, javën e kaluar, administrata Trump anuloi të drejtën e Harvardit për të regjistruar studentë të huaj, një veprim që aktualisht është pezulluar përkohësisht nga një gjyqtar federal dhe do të shqyrtohet në një seancë të martën.

Universiteti ka argumentuar se masat që po merren, janë një “hakmarrje e qartë” për refuzimin që ka ndaj kërkesave politike dhe ideologjike të qeverisë.

Të ngjashme