Revista “Nedeljnik” e Beogradit ka paralajmëruar një intervistë ekskluzive me Donald Trumpin, kandidatin e Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Disa detaje nga intervista janë bërë publike të enjten në internet nga redaksia e revistës “Nedeljnik”.
Trump citohet të ketë thënë se “u kërkon falje serbëve për shkak të bombardimeve dhe ka paralajmëruar një politikë të re ndaj Ballkanit nëse fiton në zgjedhjet presidenciale”.
“Bombardimi i serbëve, të cilët kanë qenë aleatët tanë në dy luftra botërore, ka qenë gabim i madh. Serbët janë njerëz shumë të mirë. Për fat të keq administrata e Clintonit u ka shkaktuar shumë të këqija, por edhe tërë Ballkanit, në të cilin kanë shkaktuar kaos”, ka deklaruar Trump.
Sipas revistës serbe, Trump shtoi se nëse bëhet president “do të forcojë lidhjen tonë me qeverinë në Beograd”. Ai u bëri thirrje votuesve me origjinë serbe në Amerikë që të votojnë për të.