Trump: Udhëheqësi i Shtetit Islamik, Al-Baghdadi është vrarë

Prishtinë | 27 Tet 2019 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Udhëheqësi i grupit militant Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, është vrarë në një operacion të forcave speciale të Shteteve të Bashkuara në veriperëndim të Sirisë, këtë lajm e bëri të ditur presidenti amerikan, Donald Trump.

Trump gjatë një paraqitje të drejtpërdrejt, ka konfirmuar se, “Al-Baghdadi ka vdekur”, përcjell Telegrafi.

Ai njofton se Al-Baghdadi ishte përndjekur për disa javë nga njësitë e inteligjencës.

Që nga orët e para të së dielës, mediet kanë raportuar se ushtria amerikane ka kryer një operacion kundër udhëheqësit të arratisur të grupit ekstremist.

Shtëpia e Bardhë po ashtu e ka paralajmëruar fjalimin e presidentit Trump, por fillimisht nuk ka dhënë detaje.

Trump, më herët, ka shkruar në Twitter se “diçka shumë e madhe sapo ka ndodhur”.

Komandanti i Forcave Demokratike Siriane, grup i udhëhequr nga kurdët, Mazloum Abdi, tha se, “një operacion historik dhe i suksesshëm” ka rezultuar nga “puna e përbashkët” me SHBA-në.

Turqia po ashtu tha se ka bashkëpunuar me ushtrinë amerikane përpara operacionit, duke e përshkruar atë si “një ditë të mirë për djemtë e mirë”.

Udhëheqësi i Shtetit Islamik është raportuar gabimisht i vrarë në disa raste të mëparshme.

Al-Baghdadi është përshkruar si njeriu më i kërkuar në botë.

Në tetor të vitit 2011, SHBA-ja e ka shpallur atë “terrorist” dhe ka ofruar një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për informacione që çojnë në kapjen ose vdekjen e tij.

Al-Baghdadi ka lindur pranë Samaras, në veri të Bagdadit, në vitin 1971, dhe emri i tij i vërtetë është Ibrahim Awad al-Badri.

Të ngjashme