Trump: Vendet e Gjirit më thanë, “Faleminderit President. Unë u thashë: ‘Ju lutem’”

Prishtinë | 07 Mar 2026 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se Irani “do të goditet shumë fort sot”, ndërsa reagoi pas faljes së presidentit iranian ndaj vendeve fqinje.

Në një postim në Truth Social, ai tha se Irani është dorëzuar ndaj fqinjëve të tij në Lindjen e Mesme dhe ka premtuar se nuk do të qëllojë më ndaj tyre, duke argumentuar se kjo u bë e mundur vetëm për shkak të sulmeve të pandërprera të SHBA-së dhe Izraelit.

“Irani, i cili po mundet keq, ka kërkuar falje dhe është dorëzuar para fqinjëve të tij në Lindjen e Mesme dhe ka premtuar se nuk do të qëllojë më ndaj tyre. Ky premtim u bë vetëm për shkak të sulmeve të pandërprera të SHBA-së dhe Izraelit. Ata po kërkonin të merrnin kontrollin dhe të sundonin Lindjen e Mesme. Është hera e parë që Irani ka humbur, në mijëra vjet, ndaj vendeve të tjera të Lindjes së Mesme përreth tij. Ata kanë thënë: ‘Faleminderit President Trump.’ Unë u kam thënë: ‘Ju lutem!’

Irani nuk është më ‘ngacmuesi i Lindjes së Mesme’; përkundrazi, tani është ‘humbësi i Lindjes së Mesme’ dhe do të mbetet i tillë për shumë dekada derisa të dorëzohet ose, më shumë gjasa, të shembet plotësisht.

Sot Irani do të goditet shumë fort! Po shqyrtohet seriozisht shkatërrimi i plotë dhe vdekje e sigurt për zona dhe grupe njerëzish që deri në këtë moment nuk janë konsideruar për t’u shënjestruar, për shkak të sjelljes së keqe të Iranit. Faleminderit për vëmendjen tuaj për këtë çështje!”, shkroi Trump.

Më herët, presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian tha në një mesazh të regjistruar më parë se këshilli i përkohshëm i udhëheqjes së Iranit ka miratuar ndalimin e sulmeve ndaj vendeve fqinje, përveç rasteve kur një sulm ndaj Iranit nis nga territoret e atyre vendeve.

Të ngjashme