Presidenti amerikan Donald Trump, ka ftuar presidentin rus Vladimir Putin që ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë.
Lajmin për këtë ftesë sot e kanë publikuar edhe zyrtarë rusë.
“Nëse çdo gjë ecën si duhet, shpresoj se amerikanët do ta kenë propozimin që të bisedohet për mbajtjen e mundshme të samitit. Kur kanë biseduar presidentët tanë, Trump ka propozuar që takimi i parë të mbahet në Washington”, ka thënë sot në Moskë ndihmësi i Putinit Jurij Ushakov, transmeton Koha.net.
Kremlini, siç raporton Reuters, ka thënë se ende nuk është mbajtur ndonjë diskutim për samitin e propozuar mes presidentit rus dhe atij amerikan.
Kreu i SHBA-së, Donald Trump, kishte propozuar për këtë takim në një telefonatë me Putinin më 20 mars.
Që atëherë, kujtojmë se Washingtoni ka dëbuar 60 diplomatë rus dhe ka mbyllur konsullatën ruse.