Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka ndërprerë lojën e golfit dhe ka ndjekur nga televizori procesin e gjykimit që nisi ndaj tij në Senatin amerikan.
Burimet e afërta me republikanin kanë thënë se gjatë procesit, Trumpi nuk ka qenë asnjë moment i qetë. Sipas burimeve, ish-presidenti ishte i pakënaqur me punën e avokatëve mbrojtës që u heshtën nga videoja hapëse e demokratëve, në të cilën shfaqeshin pamjet e kaosit të nxitur nga ish-presidenti më 6 janar në Washington.
Sipas këtyre burimeve, Trumpi e ka parë si betejë të humbur procesin fillestar të gjykimit ndaj tij, me të vetmen akuzë se nxiti kaosin në Capitol, në të cilin vdiqën pesë persona. Trumpi, që është presidenti i vetëm amerikan që hetohet dy herë brenda mandatit, planifikon që krejt javën ta kalojë i ngulitur para ekranit.
Gjykimi ndaj tij pritet të zgjasë disa ditë dhe do të vazhdojë të shtunën e të dielën. Në një dallim prej procesit të parë, kësaj here i akuzuari do të mbetet i heshtur. Në procesin e parë të impiçmentit, Trumpi komentoi çdo gjë nëpërmjet rrjetit social “Twitter”.
Brenda një dite, ai bëri 142 postime teksa prokurorët shtjellonin akuzat ndaj tij. Gjatë procesit të dytë amerikanët nuk do të kenë rastin të lexojnë analizat e Trumpit, sepse ai është bllokuar nga të gjitha rrjetet sociale pas sulmit ndaj Capitolit më 6 janar.