Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të “zhgënjehej” nëse konfirmohet se Koreja e Veriut është duke rindërtuar një bazë për lëshimin e raketave.
Imazhet satelitore, të publikuara të mërkurën nga organizatat jugkoreane, sugjerojnë se Phenjani është duke riparuar bazën Sohae, për të cilën ka thënë se është duke e çmontuar.
Duke folur për gazetarët në Uashington, Trump tha se është shumë herët të thuhet nëse informacioni është i vërtetë.
“Do të isha shumë i zhgënjyer nëse kjo po ndodh”, tha Trump.
Javën e kaluar, Trump është takuar në kryeqytetin e Vietnamit me udhëheqësin verikorean, Kim Jong-Un, për të biseduar rreth denuklearizimit të Koresë së Veriut.
Takimi ka përfunduar pa marrëveshje, pasi Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesat e verikoreanëve për të hequr sanksionet ndaj shtetit të tyre, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.
Baza Sohae është përdorur për nisjen e satelitëve dhe testimin e motorëve, por asnjëherë për lëshimin e raketave balistike.
Koreja e Veriut, në vitet e fundit, ka testuar disa raketa balistike dhe ka kërcënuar se ka kapacitet për të goditur SHBA-në dhe aleatët e saj në rajon me armë bërthamore.
Në takimin e parë, vitin e kaluar, Trump dhe Kim kanë thënë se synojnë denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean, por nuk kanë dhënë detaje se si dhe kur do të ndodhë procesi.