Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka bërë të ditur se administratën e tij e ka udhëzuar t’ia ndalë fondet Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ai ka deklaruar se OBSh-ja kishte “dështuar në detyrën e saj themelore” të reagimit gjatë përhapjes së Coronavirusit.
I pari i SHBA-së e ka akuzuar këtë trup të OKB-së për keqmenaxhim dhe fshehje të përhapjes së virusit, duke thënë se duhet të japë llogari, raporton BBC,.
Trumpi më herët e kishte akuzuar OBSH-në për anim, në mbështetje të Kinës.
Vetë Trumpi është përballur me kritika në SHBA rreth mënyrës se si e ka menaxhuar përgjigjen amerikane gjatë pandemisë.
“Po e udhëzoj administratën time t’i ndalë fondet, teksa të përfundojë rishikimi, përmes të cilit do të vlerësohet roli i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në keqmenaxhimin e rëndë dhe fshehjen e përhapjes së koronavirusit”, ka thënë Trumpi gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë.