Pasuria e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ra për rreth 700 milionë dollarë gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë, sipas Indeksit të Bloombergut për Miliarderët.
Pasuria e miliarderit amerikan u godit rëndë nga pandemia e koronavirusit. Ndërtesat me zyra, hotelet e njohura dhe resortet që janë në pronësi të Trumpit pësuan rënie të të hyrave dhe gjithashtu rënie të vlerës.
Rënie të vlerës pësuan edhe aeroplanët dhe fushat e golfit, duke ndikuar që pasuria e përgjithshme e ish-presidentit të binte në 2.3 miliardë dollarë, shkruan BBC.
Trumpi tash për tash është nën hetime kriminale për çështje financiare dhe biznesin e tij familjar.
Bloomberg i analizoi dokumentet financiare nga maji i vitit 2016 deri në janar të këtij viti për ta llogaritur pasurinë e Trumpit para dhe pas bërjes president i Shteteve të Bashkuara.
Sipas këtij indeksi, vlera e pronave kryesore komerciale të Trumpit gjatë kësaj kohe shënoi rënie prej 26 për qind. Ndonëse golfi u bë sport më i popullarizuar gjatë pandemisë si mundësi për distancë sociale, dy fushat e golfit në Skoci vazhdimisht kanë pësuar humbje.