Trumpi kërcënon me shpallje të emergjencës kombëtare në Washington DC

Prishtinë | 15 Sht 2025 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi të hënën se, nëse është e nevojshme, do të shpallë gjendje emergjente kombëtare në Washington DC dhe se do ta federalizojë kryeqytetin amerikan, pasi kryetarja e qytetit, Muriel Bowser, tha se policia lokale nuk do të bashkëpunojë me zyrtarët e agjencisë për imigrantë dhe dogana, ICE.

Në pyetje është ofrimi i të dhënave për individët që jetojnë ose që hyjnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Kërcënimi i Trumpit i shtohet një lëvizjeje që kritikët e kanë cilësuar si tejkalim i kompetencave nga qeveria federale, kur më shumë se dy mijë trupa ushtarake po patrullojnë në qytet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Komentet e presidentit amerikan vijnë pasi disa mijëra protestues dolën rrugëve këtë muaj për ta kundërshtuar dislokimin e trupave të Gardës Kombëtare nga Trumpi për “rivendosjen e ligjit, rendit dhe sigurisë publike”.

Zyra e kryetares Bowser nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment rreth deklarimit të presidentit Trump.

Më herët, ai e kishte vënë Departamentin e Policisë Metropolitane nën kontroll të drejtpërdrejtë federal dhe kishte dërguar pjesëtarë të agjencive për zbatimin e ligjit, përfshirë punonjës të ICE-së, për të patrulluar rrugëve. Është e paqartë se kur do të përfundojë misioni i tyre.

Trumpi i fajësoi “demokratët e së majtës radikale” se i kanë bërë presion kryetares së kryeqytetit për ta njoftuar qeverinë rreth mosbashkëpunimit me ICE-në, duke shtuar se nëse policia lokale e ndërpret bashkëpunimin me këtë agjenci, “krimi do të kthehet duke ulëritur”.

“Njerëzve dhe bizneseve të Uashingtonit, mos u brengosni, unë jam me ju dhe nuk do të lejoj që kjo të ndodhë. Unë do të thërras emergjencë kombëtare dhe do të bëj federalizim, nëse është e nevojshme” – paralajmëroi presidenti amerikan.

Të ngjashme