Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të martën se trysnia e tij ndaj vendeve anëtare të NATO-s për të paguar më shumë për mbrojtjen e tyre, ka çuar në shtimin e kontributeve dhjetëra miliardë dollarëshe, por aleatët duhet të shtojnë edhe më shumë buxhetet e tyre.
Presidenti Trump, shfrytëzoi bisedimet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar ndarjen e barrës së aleatëve. Takimi u mbajt një ditë para atij të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Washington, në atë që pritet të jetë një sesion i dominuar nga shqetësimet rreth Rusisë, raporton VOA.
Trumpi, i cili kishte ushtruar trysni mbi aleatët evropianë duke kërkuar që vendet anëtarë të paguajnë më shumë dhe të lehtësojnë barrën e Shteteve të Bashkuara, tha se taktikat e tij janë shpaguar dhe që kur ka marrë postin, gjërat kanë ndryshuar.
“Kemi siguruar mbi 140 miliardë dollarë shtesë dhe duket se do të kemi edhe të paktën 100 miliardë të tjerë nga vendet anëtare deri më 2020”, tha ai.
Presidenti amerikan tha se dëshiron të shohë vendet anëtare të NATO-s të paguajnë më shumë se 2 për qind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm për mbrojtjen. Ai u tha udhëheqësve të NATO-s vitin e kaluar që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 4 për qind të GDP-së. Ai tha se Shtetet e Bashkuara paguajnë 4.3 për qind të GDP-së së tyre për NATO-n.
Ai veçoi Gjermaninë si shembull që nuk po bën sa duhet, ndonëse lavdëroi kancelaren Angela Merkel.
Shtëpia e Bardhë në një komunikate tha se presidenti Trump u takua me sekretarin Stoltenberg për të shënuar 70 vjetorin e NATO-s dhe për të ritheksuar mbështetjen amerikane për aleancën. Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit “shqyrtuan përparimin e paparë të NATO-s për të rritur ndarjen e barrës” dhe diskutuan gjithashtu “përpjekjet e vazhdueshme për të luftuar terrorizmin dhe për të frenuar agresionin rus”.
Presidenti Trump tha se një NATO e fuqishme është mburojë përballë Rusisë, por shfaqi besimin se gjërat me Rusinë do të shkojnë rrugës së duhur.
“Shpresoj se nuk do të jetë një kërcënim për sigurinë. Unë mendoj se do të punojmë së bashku me Rusinë”, tha presidenti Trump, fushata presidenciale e të cilit ishte shënjestër e një hetimi dy vjeçar nga një prokuror i posaçëm, për lidhjet e dyshuara me Moskën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha ndërkaq se Rusia është duke shkelur Traktatin e vitit 1987 mbi Raketat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi, duke nënvizuar se aleatët e NATO-s i kanë mbështetur fuqishëm Shtetet e Bashkuara rreth kësaj çështjeje”.
Përvjetori i NATO-s – pa shumë bujë
NATO-ja po shënon zyrtarisht 70 vjetorin e saj në Washington këtë javë, por më shumë më pak bujë se sa mund të pritej, meqë partnerët e aleancës ulën shkallën e kremtimeve në një takim të ministrave të jashtëm, për të shmangur rrezikun e sulmeve të mëtejshme verbale nga presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Shumica e ekspertëve të politikës së jashtme amerikane thonë se NATO-ja është një nga aleancat më të suksesshme ushtarake në histori dhe është larg të qenit e padobishme.
“Aleanca ka treguar aftësi për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve, që nga ringritja e Rusisë e deri tek trajtimi i çështjeve të sigurisë kibernetike. NATO-ja po përshtatet dhe aleatët po shpenzojnë më shumë për mbrojtjen”, tha për Zërin e Amerikës, Mark Simakovsky, ekspert me Këshillin e Atlantikut.