Donald Trump ka thënë se nuk ka plan të nisë një parti të re politike, duke thënë në konferencën e konservatorëve në Florida se do ta ndante kështu votën republikane, raporton BBC.
Në fjalimin e tij të parë që kur pësoi humbje në zgjedhjet presidenciale në SHBA nga demokrati Joe BIden, Trumpi ka lënë të hapur mundësinë edhe të futjes në garën presidenciale në vitin 2024.
Trumpi ka kritikuar po ashtu Bidenin, duke thënë se politika e SHBA-së është kthyer nga “Amerika e para në Amerikën të fundit”.
Paraqitja e tij e parë në Konferencën e Konservatorëve (CPAC) në Orlando të dielën shfaq ndikimin e tij të vazhdueshëm në Partinë Republikane.
Trump 74-vjeçar është duartrokitur nga përkrahësit kur u paraqit në skenë në hotelin “Hyatt Regency” gati një orë me vonesë. Shumica e të pranishmëve nuk mbanin maska.
“Unë qëndroj para teje të deklarojë që rrugëtimi i jashtëzakonshëm që nisëm katër vjet më parë është larg së mbaruari. Jemi mbledhur për të folur për të ardhmen, të ardhmen e lëvizjes sonë, të ardhmen e partisë sonë dhe të ardhmen e shtetit tonë të dashur”, ka thënë Trump.
Trump sa i përket formimit të një partie të re politike e ka quajtur si “lajm i rrejshëm”.
“A nuk do të ishte e shkëlqyer? Të nisim një partiu të re dhe të ndajmë votat tona e mos të fitojmë kurrë”, ka thënë Trumpi duke bërë shaka. “Ne kemi Partinë Republikane. Do të bashkohet dhe do të jetë më e fortë se më parë”.
Sa i përket administratës së re Biden dhe ndryshimit të rregullave sa i përket imigracionit e sigurisë, Trump ka kritikuar ashpër.
“Ne të gjithë e kemi ditur se administrata Biden do të jetë e keqe, por asnjëri nuk e ka imagjinuar se sa keq do të ishin dhe sa larg mund të shkojë”, ka shtuar Trump.