Imazhi i Shteteve të Bashkuara para syve të botës ishte venitur me të filluar pandemia e koronavirusit. Njerëzit në disa vende aleate të SHBA-së janë të pakënaqur me mënyrën e menaxhimit të pandemisë nga presidenti Donald Trump. Në një sondazh thuhet se njerëzit e shohin Trumpin si liderin më pak të vlefshëm sesa të tjerët, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin dhe atë të Kinës, Xi Jingping.
Në sondazhin e realizuar nga “Pew Research Center” thuhet se imazhi i Amerikës në sytë e britanikëve, kanadezëve, francezëve, japonezëve dhe australianëve është në pikën e fundit në njëzet vjetët e fundit. Vlerësimet personale të Trumpit kanë rënë në fund të pusit në vlerësimet vjetore. Të anketuarit nga Britania, Spanja, Franca dhe Gjermania i kanë dhënë vlerësim edhe më të ulët sesa George W. Bush dhe shumë më poshtë sesa Barack Obama. Ndërkohë njerëzit nga 13 shtete mendojnë se përgjigjja amerikane ndaj pandemisë së koronavirusit është më e dobët sesa Kina, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Bashkimi Evropian dhe qeveritë e shteteve të tyre. “Pew” tash e 20 vjet kryen hulumtime në 13 shtetet partnere që kanë rëndësi për SHBA-në. Për këtë raport është përdorur telefoni te më shumë se 13 mijë të rritur në Australi, Belgjikë, Kanada, Danimarkë, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Holandë, Kore e Jugut, Spanjë, Suedi dhe Britani e Madhe, raporton Reuters.
Imazhi i Trumpit pësoi më së keqi nga reagimi i tij ndaj koronavirusit që ka lënë të vdekur gati 200 mijë amerikanë dhe SHBA-ja prin me numrin e të infektuarve. Më pak se një në gjashtë persona mendojnë se SHBA-ja e ka menaxhuar mirë krizën e virusit, ndërsa shumica mendojnë se shteti amerikan ka qenë i tmerrshëm në reagim.
Sipas këtij sondazhi, Trumpi ka siguruar përkrahje në mesin e njerëzve që kanë qëndrime të krahut të djathtë dhe nga përkrahës të partive populiste.
Por në përgjithësi, më pak se një në pesë njerëz në Kanada dhe Evropë Perëndimore besonin se Trumpi po ndjek politikë të jashtme të drejtë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në Belgjikë, Danimarkë, Francë dhe Gjermani, rreth një në dhjetë persona kanë thënë se i besonin Trumpit.
Angela Merkel dhe Emmanuel Macron shihen me sy më të mirë: shumica e të anketuarve kishin besim te liderët e Gjermanisë dhe të Francës, dhe më pak se gjysma e të anketuarve kanë thënë se kishin pikëpamje pozitive për kryeministrin britanik, Boris Johnson.