Presidenti amerikan, Donald Trump, dëshiron t’i kthehet fushatës zgjedhore të shtunën në Florida nëse deri nesër ia del ta marrë veten. Duke folur për televizionin Fox News, Trumpi ka thënë se mund të bëhet pjesë e fushatës në Pensilvania.
Ai ka shprehur dëshirën për t’iu kthyer tubimeve vetëm pak orë pasi mjeku i tij vlerësoi se shefi i Shtëpisë së Bardhë mund t’u kthehet angazhimeve publike nëse merren masat e sigurisë. Trumpi po vazhdon të trajtohet për COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi. Trumpi ka thënë se mezi po pret t’u kthehet paraqitjeve publike në prag të zgjedhjeve kombëtare, raporton AP.
Ndërkohë, udhëheqësi i shumicës republikane në Senatin amerikan, Mitch McConnell, tha se nuk ka qenë në Shtëpinë e Bardhë qysh në gusht, për shkak të mënyrës se si e ka trajtuar pandeminë COVID-19, transmeton KOHA.
McConnell, 78 vjeç, i mbijetuar nga poliomieliti, tha se ka folur shpesh me presidentin Donald Trump përmes telefonit, por nuk ka qenë për vizitë qysh më 6 gusht.
Prejse Trumpi është diagnostikuar me sëmundjen COVID-19, më 2 tetor, dhjetëra veta nga rrethi i tij dhe stafi i Shtëpisë së Bardhë kanë dalë po ashtu pozitivë. Zonja e parë, Melania, sekretarja për media, Kayleigh McEnany, dhe këshilltari i presidentit, Stephen Miller, janë në mesin e të infektuarve.
Dy senatorë republikanë – Mike Lee dhe Thom Tillis – gjithashtu kanë rezultuar pozitivë, pasi kanë marrë pjesë në një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë, edhe pse nuk është e qartë se ku e kanë marrë virusin.
Duke folur për gazetarët në Kentaki, McConnell tha se veshja e maskës dhe distanca sociale janë mënyra më e mirë për ta luftuar virusin, derisa të zbulohet vaksina.