Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mohuar se e ka pranuar fitoren e rivalit të tij, Joe Biden, në zgjedhjet e 3 nëntorit. Më herët përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ai për herë të parë shkroi: “Ai fitoi, sepse zgjedhjet u manipuluan”.
Kjo ishte hera e parë që Trumpi përmendi fitoren e kundërkandidatit të tij, duke nxitur reagime se ky është një sinjal që ai po e pranon fitoren e Bidenit.
Por, përmes një postimi tjetër, Trumpi tha se “ai nuk ka pranuar asgjë”.
“Ai ka fituar vetëm në sytë e mediave që prodhojnë lajme të rreme. Nuk kam pranuar asgjë. Kemi një rrugë të gjatë përpara. Këto kanë qenë zgjedhje të manipuluara“, shkroi Trumpi, shkruan Reuters.
Bideni u projektua fitues, tetë ditë më parë, nga të gjitha mediat kryesore të SHBA-së, pasi rezultatet jozyrtare i dhanë atij më shumë se 270 votat e Kolegjit Zgjedhor, të nevojshme për ta fituar Shtëpinë e Bardhë.
Trumpi dhe ekipi i tij ligjor kanë filluar një sërë sfidash përkundër faktit se zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin kanë thënë se nuk panë prova të parregullsive serioze.