Trumpi mund të hetohet shkaku i kërkesës për vota në Georgia

Prishtinë | 04 Jan 2021 | 21:28 | Nga Ekonomia Online

Brad Raffensperger ka thënë po ashtu se Shtëpia e Bardhë i kishte bërë presion për të biseduar me Trumpin. Një përfaqësues i demokratëve në këtë shtet ka bërë thirrje që të hetohet nëse Trumpi kishte shkelur ligjin zgjedhor të Georgias me thirrjen telefonike. Ndërkaq, dy demokratë nga Dhoma e Përfaqësuesve kanë kërkuar që drejtori i FBI-së, Christopher Wray, të hapë hetime kriminale ndaj Trumpit lidhur me telefonatën

Zyrtari më i lartë i zgjedhjeve në shtetin amerikan Georgia, Brad Raffensperger, ka bërë të ditur të hënën se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të ballafaqohet me hetime kriminale shkaku i kërkesës për t’i “gjetur” numër të mjaftueshëm votash për ta nxjerrë atë fitues në këtë shtet.

Duke folur për emisionin “Good Morning America”, Raffensperger ka thënë se nuk është e përshtatshme që zyra e tij të iniciojë hetime për shkak të një konflikti potencial interesi. Zyrtari republikan nuk e komentoi ligjësinë e kërkesës së Trumpit, por ka thënë se e mbron mënyrën se si zyra e tij i menaxhoi zgjedhjet, duke i kundërshtuar pretendimet e pabaza të presidentit për mashtrime të gjithmbarshme.

Raffensperger ka thënë për më tepër se Shtëpia e Bardhë i kishte bërë presion se për ta krijuar një opinion më të mirë duhet të fliste në telefon me presidentin, gjatë së cilës bisedë u vu nën presion për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve që republikani i humbi në këtë shtet.

Në bisedën telefonike të së shtunës, Trumpi i kërkoi sekretarit të Shtetit të Georgias, Brad Raffensperger, që “të gjente” vota të mjaftueshme – më saktësisht 11.800 sosh – për ta sprapsur humbjen e tij në këtë shtet jugor kundrejt presidentit të zgjedhur demokrat, Joe Biden.

“Kurrë nuk besoja se ishte e përshtatshme të flisja me presidentin, por ai ngulmoi, mendoj se personeli i tij na shtyri. Ata donin të kishte një bisedë telefonike”, ka deklaruar Raffensperger për programin “Good Morning America” të televizionit ABC.

Një përfaqësues i demokratëve në këtë shtet ka bërë thirrje që të hetohet nëse Trumpi kishte shkelur ligjin zgjedhor të Georgias me thirrjen telefonike. Ndërkaq, dy demokratë nga Dhoma e Përfaqësuesve kanë kërkuar që drejtori i FBI-së, Christopher Wray, të hapë hetime kriminale ndaj Trumpit lidhur me telefonatën. Raffensperger ka thënë se zyra e tij ligjore kishte refuzuar pretendimet e Trumpit se kishte mashtrim në rezultatin e zgjedhjeve.

“Ne e pranuam thirrjen telefonike dhe e patëm një bisedë. Ai foli gjatë shumicës së kohës, ne dëgjuam gjatë shumicës së kohës”, ka konfirmuar Raffensperger. “Por, unë dua të theksoj se të dhënat që i ka ai janë thjesht një gabim i rëndomtë. Ai kishte qindra e qindra njerëz për të cilët tha se kishin votuar të vdekur. Ne i gjetëm dy syresh. Ky është një shembull i të dhënave të tij të gabuara”.

Trumpi ka dy muaj që po sfidon rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 3 nëntorit kundër demokratit Biden. Ai akuzon pa dëshmi se demokratët mashtruan gjatë votimit, duke kërkuar të rishikohen proceset zgjedhore në disa shtete amerikane. Por, të gjitha paditë kanë përfunduar me hedhje poshtë nga gjykatat amerikane.

Bideni kishte mbështetjen e 306 anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor që i përfaqësojnë shtetet federale, derisa 232 ishin për Trumpin president. Bideni ia doli ta fitonte edhe votën popullore, duke marrë shtatë milionë vota më shumë se Trumpi.

David Worleu, demokrati i vetëm në komisionin zgjedhor të Georgias, i ka kërkuar Raffenspergerit që të hetojë nëse presidenti në fund të mandatit shkeli ligjin zgjedhor të këtij shteti me përpjekjen për t’i bindur zyrtarët lokalë për ta ndryshuar rezultatin.

“Do të ishte nënvlerësim nëse do të thosha se jam sfiduar prej përpjekjes së presidentit Trump për të manipuluar votat e gjeorgjianëve”, ka deklaruar Worley në një letër që ia ka dërguar Raffenspergerit, e të cilën e ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në audio-incizimin e publikuar nga gazeta “Washington Post”, Trumpi dëgjohet se gjatë bisedës prej më shumë se katër minutash u bën presion dy zyrtarëve të lartë të Georgias që ta rishikojnë vendimin për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve që i fitoi Bideni.

Trumpi ka konfirmuar të dielën se kishte folur një ditë më parë me sekretarin e Shtetit të Georgias, republikanin Raffensperger.

“Andaj, shikoni, dua që ta bëni këtë: Thjesht dua t’i gjeni 11.780 vota, që është një më shumë sesa e kemi, sepse ne e fituam këtë shtet. Andaj, më tregoni Brad, çfarë do të bëni?” – dëgjohet të ketë thënë Trumpi, derisa e dominon bisedën telefonike me Raffenspergerin.

Ky i fundit, megjithatë, gjatë gjithë bisedës me presidentin ngulmon se të dhënat që e nxorën Bidenin fitues në zgjedhje janë të sakta dhe se është në gjendje t’i mbrojë edhe para organeve të drejtësisë.

“Zoti president, ju keni njerëz që ju dorëzojnë informacione dhe ne kemi njerëzit tanë që dorëzojnë informacione, dhe pastaj dorëzohet para gjykatës dhe pastaj është në dorën e gjykatës për të vendosur. Ne duhet t’i mbrojmë shifrat tona. Ne besojmë se shifrat tona janë të drejta”, ia kthen ai. Por, presidenti nuk tërhiqet prej të tijës.

“Në rregull, sipas ligjit nuk ju lejohet që të jepni rezultate zgjedhore me të meta, OK? Nuk ju lejohet ta bëni atë. Dhe këtë po e bëni. Ky është rezultat i gabuar zgjedhor”, i drejtohet ai.

Biseda e së shtunës është hapi i fundit i përpjekjes së pashembullt të një presidenti në detyrë për t’i bërë presion një zyrtari shtetëror për ta ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, të cilat i humbi në garën kundër demokratit Biden.

Trumpit nuk ia mbush mendjen gjatë bisedës telefonike as qëndrimi i Ryan Germanyt, shef i zyrës ligjore të sekretarit të Shtetit të Georgias, se krejt procesi ishte zhvilluar pa kurrfarë shkeljesh ligjore. \ Reuters

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme