Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se zyrtarët e shtetit të tij janë duke zhvilluar bisedime për një marrëveshje thelbësore për tregti me Britaninë e Madhe.
Ai tha se një marrëveshje pas Brexit-it me Mbretërinë e Bashkuar mund ta shtojë për katër ose pesë herë shkëmbimin tregtar mes dy shteteve.
Sidoqoftë, ai nuk dha hollësi se si do të arrihej një sukses i tillë.
Pas një bisede në telefon me kryeministrin e ri të Britanisë, Boris Johnson, presidenti amerikan tha se udhëheqësi i ri do të jetë i mrekullueshëm. Ai shtoi se marrëdhëniet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe janë penguar nga anëtarësia Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian.
Presidenti amerikan deklaroi se Britania e Madhe mund të presë rezultate më të mira nga tregtia me Shtetet e Bashkuara pasi të largohet nga Bashkimi Evropian.
Dy udhëheqësit e shteteve thanë se do t’i fillojnë negociatat zyrtare sa më shpejt që është e mundur pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Përderisa është pjesë e Bashkimit Evropian, Britania nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje tregtare me shtete të tjera. Mbretëria e Bashkuar pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor, shkruan “BBC”.