Avokati i sinjalizuesit, i cili e zbardhi aferën ukrainase dhe i hapi udhë nisjes së hetimeve për shkarkimin e presidentit amerikan, Donald Trump, i ka adresuar të premten një letër Shtëpisë së Bardhë, duke e kërkuar ndaljen e presionit ndaj klientit të tij.
Në këtë letër, avokati Andrew Bakaj ka shkuar se “retorika dhe aktivitetet” e Trumpit po e vënë sinjalizuesin në “rrezik fizik. I patrazuar nga letra, presidenti Trump i përsëriti të premten sulmet ndaj sinjalizuesit, identiteti i të cilit vazhdon të mbahet sekret nga demokratët.
Raporti i sinjalizuesit është përpiluar në gusht, në të cilin shprehet shqetësimi rreth telefonatës së një muaji më herët midis Trumpit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensku. Trumpi gjatë kësaj bisede i ka kërkuar Zelenskyt që t’ia gjente të palarat rivalit të tij demokrat në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Joe Biden, përmes inicimit të hetimeve ndaj tij dhe të birit të tij, Hunter.
Në letrën e së premtes, dërguar këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollome, Bakaj përmend shembuj të shumtë të “fiksimit” të presidentit me identitetin e sinjalizuesit nëpër komentet e tija dhënë mediave, gjatë tubimeve dhe në Twitter.
“Deklaratat e tilla synojnë ta frikësojnë klientin tim dhe në të vërtetë edhe e frikësojnë”, ka shkruar Bakaj.
Pavarësisht kësaj, Trumpi adresoi një sulm të ri. “Sinjalizuesi përbën turpërim për vendin tonë. Dhe avokati i tij, i cili tha gjërat më të këqija të mundshme dy vjet më parë, duhet të paditet, dhe madje për tradhti”, tha Trump.
Afera me Ukrainën ka nxitur Kongresin e udhëhequr nga demokratët që t’i nisë hetimet që mund të prodhojnë shkarkimin e presidentit nga detyra.