Trumpi synon tubim në Tulsa, pavarësisht trazirave dhe Coronavirusit

Prishtinë | 20 Qer 2020 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Qyteti Tulsa në Oklahoma të SHBA-së është duke u bërë gati për tubimin e parë të fushatës elektorale së Donald Trumpit që nga nisja e pandemisë së koronavirusit në SHBA, e cila mori më shumë se 118,000 jetë deri tani, e ka zhytur ekonominë në recesion, dhe ka nxitur kritika të shumta ndaj mënyrës se si po e menaxhon Presidenti krizën, shkruan The Guardian.

Tubimi në ambient të mbyllur, në qendrën BOK të Tulsas, që ka kapacitet për të mbledhur 19,000 persona, do të ndodhë në momentin kur qyteti dhe shteti i Oklahomas janë duke përjetuar një rritje të rasteve me COVID-19 dhe zyrtarët e shëndetit publik janë duke bërë thirrje që të shtyhet tubimi për shkak frikës se kontakti i afërt në mes pjesëmarrësve, të cilët nuk detyrohen as të mbajnë maska, do të çojë edhe në më shumë vdekje.

Të premten Trumpi premtoi një “natë të flaktë” për përkrahësit e tij në Tulsa dhe përdori Twitterin për t’i kërcënuar “protestuesit, anarkistët, shqetësuesit, grabitqarët dhe fundërrinat” në qytet, duke thënë se “nuk do të trajtohen” njëjtë ashtu si janë trajtuar në pjesët tjera të shtetit,

Vendimi i Trumpit që të mbajë këtë tubim të madh në Tulsa ka shqetësuar komunitetin lokal afro amerikan si dhe tjerët të cilët kanë rrekur rrugët për të protestuar vrasjen e George Floydit. Pritet të mbahen tubime kundërshtuese në qytet dhe ka pasur konflikte të shkurtra me përkrahësit e Trumpit, të cilët kanë kampuar me ditë në mënyrë që të mund të hyjnë në këtë tubim. Rrethoja të mëdha, post blloqe në rrugë dhe një numër i madh i policëve kanë rrethuar këtë arenë të premten mbrëma.

Tubimi do të mbahet shumë afër lagjes historike Greenwood, vendi i masakrës racore të vitit 1921, gjatë se cilës ndodhi njëra nga ngjarjet më të dhunshme raciste në historinë moderne amerikane, që edhe sot e mundon qytetin. Gjithashtu, tubimi do të ndodhë një ditë pas Juneteenth, ditë kombëtare e përkujtimit të përfundimit të skllavërisë në SHBA.

Të ngjashme